Shkarko/Lexo Librin 15.6MB
Që atëherë kanë kaluar shumë kohë, por në thelb problemet janë po ato. Gruaja vazhdon të përbëjë gjysmën e popullsisë së botës, të trajtohet pak a shumë në të njëjtën mënyrë dhe të vuajë nga të njëjtat komplekse. Prej shek.XIX, Sami Frashëri ngre zërin. Eshtë i sigurt se nuk mund t’i zgjidhë problemet, por edhe nuk mund të heshtë. “Gratë”, kështu titullohet libri i shkruar nga mendimtari Sami Frashëri, botuar nga Shtëpia Botuese “Logos A”. Eshtë një libër i shkruar me dashuri, ku në momente të caktuara, shkrimtari e poeti, dalin mbi mendimtarin. Në fakt ai e quan broshurë dhe ka pasqyruar në të pozicionin e gruas, kryesisht asaj muslimane, jo vetëm në Turqi, ku u shkrua libri, por edhe Shqipëri e gjetkë, duke i shtuar kësaj panorame dhe mendimet e tij, përparimtare për kohën kur është shkruar, mbi mënyrën se si ajo duhet trajtuar, mbi arsimimin, rolin që duhet të zërë në familje e shoqëri, etj. Në një kohë kur gruaja ende trajtohej si një mall tregu, Frashëri e quan atë bazën e shoqërisë. Në libërthin e tij, ai e quan shoqërinë një grumbullim familjesh, ndërkohë që përkufizimi i tij për këtë të fundit është “Familje do të thotë grua” (fq. 17).
Në mënyrë të prerë e quan të prapambetur mendimin e shumicës, sipas të cilit edukimi, apo arsimimi për gruan është i dëmshëm. “Mjerisht edhe sot ka shumë prej atyre që, të mësuarit dhe të edukuarit të grave e shohin të dëmshëm. Sipas mëtimeve të këtyre njerëzve, dituria e grave qënka e dëmshme dhe shkak grindjesh në shoqërinë njerëzore! Kur bën faj një mashkull i paditur, ia quajnë paditurisë së tij, pasi nga i dituri nuk mendohet të dalë një faj i tillë. Përse nuk e përdorin këtë rregull edhe për gratë?”. Në mënyrë të argumentuar ai sjell për lexuesin arsyet përse një grua duhet të jetë e arsimuar. Sipas tij, prej gjendjes së grave varet edhe ajo e shoqërisë, pasi gruaja, nëna, është edukuesja e brezave, ndërkohë që janë një mori mjeshtërish që gruaja mund të bëjë, që nga ato që lidhen me dhuntitë që i ka dhënë Zoti, tek mjekësia. Përveçse të brishta, për të gratë nuk janë qënie inferiore në krahasim me meshkujt, madje ai u vesh atyre disa cilësi që burrat nuk i kanë. “…gratë për mendje e zgjuarsi nuk mbesin pas meshkujve, ndoshta e kanë më të madhe mendjemprehtësinë dhe janë më shpejt të kuptueshme”. Për të mbështetur idetë e tij, ai përmend edhe figura të njohura të artit dhe historisë, si zotësinë dhe suksesin e shkrimtares Zhorzh Sand, adhurimin dhe vlerësimin që filozofi Kant kishte për nënën, apo Bonapartin, i cili ka thënë “E ardhmja e një fëmije është në dorë të nënës”. Në këtë broshurë, pa mundur të shkëputet nga feja, si një mysliman i mirë, ai i kundërpërgjigjet të gjithë atyre që ua veshin problemet e gruas, fesë myslimane. Duke cituar Kur’anin ai sqaron pozicionin që Islami i ka caktuar gruas, madje ai sjell si shembuj edhe gra të njohura të historisë islame, si Aishja, apo Fatimeja të cilat kanë marrë pjesë edhe në vendimarrje politike e luftëra. Ai përcjell ndër të tjera problemin e poligamisë e cila aplikohet ndër myslimanët. Ai shprehet kundër martesës së burrit me shumë gra dhe radhit një mori të këqijash që rrjedhin prej kësaj, por e justifikon në raste të veçanta. Një tjetër çështje është edhe ferexheja. Frashëri paraqit atë që thuhet në Kur’an për këtë çështje, ndërkohë që të gjitha mënyrat e tjera të të veshurit, si mbulimi i fytyrës, gishtave, papuçet e verdha, e të tjera si këto, i konsideron si të krijuara nga vetë njerëzit. “Kur’ani urdhëroi mbulesën e flokëve, të krahëve e të kofshëve e pjesëve të tjera të shtatit”, ndërsa më vonë shton: “Secila prej popullsive islame, për mbulesën e perçes së grave ka trashëguar nga mbeturinat e zakoneve dhe të ceremonive të kohëve paraislamike, të cilat nuk përkojnë me shprehjen e sheriatit për çështjen” (fq 52). Sot, pas njëqind e ca vjetësh, ndonjë prej mendimeve të tij mund të jetë jashtë mode, por në kompleksin e tij, ky libër duhet lexuar pa dyshim nga politikëbërësit.
No comments:
Post a Comment